Secondary Adv

Si do administrohen pasuritë e sekuestruara, nga ndërtimet pa leje tek kriptomonedhat

Projektligji i ri zgjeron administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, duke përfshirë ndërtimet pa leje dhe kriptomonedhat.

Qeveria ka depozituar në komisionet parlamentare një projektligj që ndryshon kuadrin ligjor për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara. Nisma synon të përmirësojë menaxhimin e këtyre aseteve përmes një institucioni të vetëm, duke rritur efikasitetin e administrimit, përdorimin e tyre dhe të ardhurat që përfiton shteti.


Projektligji zgjeron objektin e ligjit aktual, duke përfshirë jo vetëm pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara nga organet e drejtësisë, por edhe ato që konfiskohen nga njësitë e pushtetit vendor, kryesisht ndërtimet pa leje. Sipas draftit, kjo do të krijojë mundësi që këto pasuri të rikthehen në shërbim të komunitetit përmes përdorimeve zhvillimore, sociale ose institucionale.


Fond i posaçëm për ndërtimet pa leje

Një nga risitë e projektligjit është krijimi i një fondi të dedikuar për administrimin e ndërtimeve pa leje të konfiskuara. Qëllimi është që këto objekte të mos mbeten të pashfrytëzuara, por të përdoren për funksione publike, sociale ose zhvillimore, në varësi të nevojave të komunitetit.


Agjencia do të organizojë edhe shitjen e pasurive

Projektligji parashikon zgjerimin e kompetencave të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Përveç administrimit dhe dhënies me qira të aseteve, agjencia do të jetë përgjegjëse edhe për procedurat e shitjes përmes ankandeve publike.


Në këtë mënyrë, institucioni do të marrë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për vlerësimin e pasurive, administrimin e tyre, organizimin e ankandeve dhe transferimin e të ardhurave në buxhetin e shtetit.


Për herë të parë përfshihen edhe kriptomonedhat

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është përfshirja e kriptomonedhave në kategorinë e pasurive të luajtshme që mund të sekuestrohen dhe konfiskohen. Drafti krijon për herë të parë bazën ligjore që institucionet shtetërore të administrojnë edhe këto asete, duke reflektuar zhvillimet e reja në tregjet financiare dhe përdorimin në rritje të aktiveve digjitale.


Synohet administrim më i shpejtë dhe më efikas

Sipas relacionit shpjegues, ndryshimet synojnë të shkurtojnë afatet procedurale për administrimin dhe shitjen e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, të rrisin efikasitetin në përdorimin e tyre dhe të kontribuojnë në shtimin e të ardhurave publike, pa krijuar kosto shtesë për buxhetin e shtetit.


Diskutimet në komisionet parlamentare pritet të përqendrohen te mënyra e zbatimit të dispozitave të reja, mekanizmat e kontrollit dhe roli i institucioneve përgjegjëse në administrimin e këtyre pasurive.


Asetet e sekuestruara arritën 45.4 milionë euro në 2025

Sipas të dhënave të projektligjit, gjatë vitit 2025 vlera totale e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara arriti në rreth 45.4 milionë euro. Nga kjo shumë, rreth 43.49 milionë euro, ose 96% e totalit, përfaqësojnë asetet e sekuestruara, ndërsa rreth 1.91 milionë euro janë pasuri të konfiskuara.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat